
Praktika Mësimore

Ku konsiston praktika mësimore (Internship) pranë Bankës ProCredit?
ProCredit Bank është një institucion që vlerëson maksimalisht përgjegjësinë sociale dhe profesionalizmin në të gjithë fushat. Ne mirëpresim studentë të kualifikuar që të aplikojnë në Praktikën mësimore, ku mund të marrin eksperiencë praktike të vlefshme në Degët tona, Njësitë e Biznesit ose në Drejtorinë Qendrore. Si pjesë e kontributit tonë në edukimin financiar të shoqërisë, ne nuk ofrojmë vetëm mundësinë që të përmbushen kërkesat universitare, por ofrojmë mundësinë që studentët të bëhen pjesë e një institucioni etik, i përkushtuar në bankingun e përgjegjshëm. Ky trajnim praktik ka mbështetjen dhe mbikqyrjen e punonjësve tanë me eksperiencë në fushat e ndryshme të bankingut. Praktika mësimore është një eksperiencë shumë e vlefshme që nuk mund të mësohet në sallat e leksionit dhe shërben si një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës. Gjithashtu, ky program është një mundësi shumë e mirë që studentët të njohin më mirë bankën, duke pasur mundësinë që të aplikojnë për procesin e përzgjedhjes për "ProCredit Entry Programme".

Praktika mësimore
Përgjatë Praktikës mësimore, studentët do të mësojnë për një bankë të përgjegjshme dhe misionin që ka, elementët e ndryshëm të manaxhimit të punonjësve, çfarë do të thotë të punosh në grup si dhe mënyrën se si ProCredit ofron shërbim cilësor për klientët e vetë. Praktika mund të zgjasë një deri në tre muaj. Meqënëse ajo është pjesë e detyrueshme e kurikulës universitare, pjesëmarrësit e përzgjedhur nuk do të paguhen përgjatë periudhës. Ajo mund të zhvillohet në të gjitha qytetet ku ka Njësi Biznesi si dhe në Drejtorinë Qendrore në Tiranë.

Kush mund të aplikojë?
Nëse: Jeni duke studiuar në një nga fushat e studimit Universitar
- Ju kërkohet praktika si pjesë e kurikulës universitare.
- Zotëroni gjuhën angleze në nivel mbi mesatar dhe keni njohuri të mjaftueshme kompjuterike.
- Jeni të pavarur, proaktivë, të përkushtuar dhe të përgjegjshëm.
- Keni dëshirë të mësoni dhe të zhvilloheni personalisht dhe profesionalisht.
Atëherë ju mund të përzgjidheni për praktikën mësimore.
Procesi i Aplikimit
Aplikimi konsiston në një formular aplikimi on-line i cili përmban CV-në dhe një letër motivimi. Në momentin që po aplikoni, ju lutem të tregoni qartësisht në letrën tuaj të motivimit se përse keni zgjedhur Bankën ProCredit për kryerjen e kësaj praktike,si dhe preferencën tuaj për kohëzgjatjen e saj (një, dy ose tre muaj). Linku në të cilin mund te dërgoni aplikimin online. Kandidatët më të mirë do të kontaktohen nga Ekipi i Burimeve Njerëzore për të vazhduar më tej procesin e përzgjedhjes.